Kurti takohet me Shefin e Kryqit të Kuq në Kosovë, flasin për personat e zhdukur gjatë luftës

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim Shefin e Kryqit të Kuq, Agim Gashin, ku tema kryesore ishte çështja e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kurti falënderoi Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për përkrahjen e vazhdueshme dhënë Qeverisë së Kosovës, në veçanti për mbështetjen e familjeve të personave të pagjetur.

“Kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë për avancimin e politikave institucionale, përmes të cilave do të ketë trajtim meritor për familjet e të zhdukurve me dhunë, duke pasur prioritet ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve dhe vendosjen e drejtësisë”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Mes çështjeve të diskutuara ishte edhe databaza e shqiptarëve të arrestuar në Serbi si dhe domosdoshmëria e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për reformën e burgjeve në Kosovë.