Rozmarina – Aftësitë shëruese për kujtesën, reumatizmën dhe dhimbjet e muskujve

Rozmarina ka një shije dhe aromë të pashoqe, emri i saj vjen nga Latinishtja dhe përkthehet “Vesa e Detit”.

Qytetërimet e lashta të Egjiptit, Romës dhe Greqisë e konsideronin rozmarinën, një barishte të shenjtë.

Në Mesjetë, rozmarina besohej të kishte aftësi të mëdha në ndezjen e dashurisë mes nje mashkulli dhe një femre, ndaj ajo përdorej gjërësisht nëpër dasma dhe ceremoni.

Rozmarina dhe Vlerat Shëndetësore

Ajo përdoret për të përmirësuar kujtesën dhe është e pasur me ushqyes të dobishëm për organizmin.

Konsumi i rozmarinës përmirëson qarkullimin e gjakut në tru dhe ndihmon në rritjen e përqendrimit.

Vetëm një vit më parë, shitjet e vajit esencial të rozmarinës pësuan një rritje të katërfishtë pas studimeve shkencore sipas të cilave kjo bimë përmirëson kujtesën.

Blerjet u përqendruan kryesisht në rradhët e studentëve të cilët në sezon provimesh kanë nevojë për një kujtesë më të mirë.

Shkencëtarët besojnë se aroma e rozmarinës ndikon dhe gjallëron aktivitetin në tru.

Jo më kot, në Greqinë e lashtë, studentët mbanin kurora rozmarine në kokë gjatë studimeve.

Vaji esencial i rozmarinës është përdorur prej shekujsh edhe për të larguar dhimbjet e kokës, dhimbjet muskulare, reumatizmën dhe artritin.

Rozmarina ka aftësi parandaluese të rënies së flokëve dhe kundër thinjave.

Vaji i rozmarinës dhe çaji i saj janë përdorur gjithashtu për të stimuluar dhe ushqyer rrënjët e flokëve dhe për rritjen e tyre.