Ujëvarat e Tiranës, bukuri natyrore shqiptare

Tirana është e bekuar me bukuritë natyrore që gjenden ne rrethinat e saj, me pamje fantastike. Në rrethinat e Tiranës gjenden të fshehura disa ujëvara mahnitëse, ku vite më parë shumë pak i dinin se ekzistonin. 

Ujëvara e Shengjergjit – ndodhet pranë fshatit Shëgjin, të komunës Shëngjergj. Deri pranë saj, mund të shkohet me makinë dhe rruga është shumë e mirë. Kjo ujëvarë deri para gjashtë vitesh, rrinte “e fshehur” mes maleve dhe përveç banorëve të zonës, askush nuk e dinte ekzistencen e saj. Ndërsa vitet e fundit është kthyer në destinacionin më të kërkuar të pranverë-verës nga adhuresit e natyrës. Formacioni shkëmbor rreth saj është me shkëmbinj shtresëzorë dhe me ngjyra, ku e kuqja është mbizotëruese. Ne pranverë dhe në vjeshtë ajo ka një bukuri mahnitëse, nga llojshmëria e ngjyrave.

Ujëvara e fshehtë e Përroit të Murdharit – kjo është një nga ujëvarat më të veçanta të këtij përroi, por dhe më e veçanta në llojet e ujëvarave. Kjo për faktin se ajo rrjedh në brendësi të malit. Vendi ku bie është pothuaj në erresirë përveç pjesës nga futet lumi që lejon dritën të hyjë. Banorët e zonës e quajnë “Hurdha e Zezë” (Pellgu i Zi). Për të arritur deri atje shtegu është pak i vështirë dhe i rrëshqitshëm. Pamja e saj është mbresëlënëse dhe mistike. Nuk mungojnë edhe legjendat lokale për këtë vend.

Ujëvara e Kakunjës – kjo ujëvarë ndodhet pranë fshatit Kakunjë. Ndryshe ajo njihet edhe si ujëvara e Shkëmbit të Askolajt. Ujëvara është përherë me ujë por në momente të pranverës dhe vjeshtës pas shirave ka me shumë prurje. Për të shkuar deri atje ndiqet rruga nga Tirana në Baldushk deri në fshatin Kakunjë. Nga atje më pas procedohet në këmbë deri tek ujëvara.

Ujëvara e Besh-Livadhit – kjo ujëvarë ndodhet në përroin që kalon pranë fshatit Besh-Livadh. Shkëmbinjtë ku kalon janë shtresëzore dhe duken si pllaka të vendosura me dorë njëra mbi tjetrën. Ujëvara është e fshehur në një oaz të gjelbër bimësie dhe nuk është e thjeshtë për t’u gjetur. Për të shkuar deri atje ndiqet rruga nga Tirana deri në fshatin Besh pranë Shkallës së Tujanit. /KultPlus.com