Dr. Sahadete Doko Mekuli ndër mjeket e para dhe gjinekologia e parë shqiptare në Kosovë

Dr. Sahadete Doko Mekuli (1928-2013) -ishte ndër mjeket e para dhe gjinekologia e parë shqiptare në Kosovë e cila dha kontribut të madh në krijim e sistemit shëndetësor në vend. Ishte themeluese dhe iniciuese e ndërtimit të Klinikës së re Gjinekologjike Akusherike në Spitalin e Prishtinës në vitin 1975 si dhe bashkëthemeluese e Shoqatës së Mjekëve të Kosovës.

Deri në fund të viteve të 70-ta ishte ligjëruesja e vetme shqiptare në gjuhën shqipe në fakultetin e mjekësisë.

Dr. Mekuli njihet për veprimtarinë e saj patriotike dhe humane gjatë vitit 1981 ku kishte përgatitur klinikën për trajtimin e të plagosurve gjatë demonstratave të këtij viti. Si pasojë e këtij kontributi për popullin e saj ajo u pensionua dhunshëm nga pushteti serb në Kosovë në vitin 1987.

Shquhet si eksperte e madhe dhe grua energjike, e cila ishte ndër të parat që kundërshtoi haptas dhunën serbe në Kosovë, sidomos në shëndetësi. Personaliteti i saj ishte inspirim për karaketrin e Dr. Teuta Shkrelit në veprën Krushqit janë të ngrirë të shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare.

Nën udhëheqjen e saj, në vitin 1996 hapet Shërbimi Gjinekologjik dhe Materniteti pranë Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza” në Prishtinë. Në këtë klinikë punuan gjinekologë nga mbarë Kosova të cilët kryenin nga tridhjetë lindje në ditë pa kompensim material.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, forcat policore u kishin hyrë në shtëpi për ta kërcënuar për ndihmën që po u bënte nënave shqiptare dhe për ta torturuar. Ajo vdiq më 11 nëntor 2013 në Prishtinë.

Sehadete Doko – Mekuli  ishte e martuar me poetin e shquar Esad Mekuli,shkroi dhe botoi punime dhe vepra shkencore – profesionale, siç janë:

Epidemiologjia e kancerit të mitrës (1965)
Barrat e shumëfishta (1980), etj.[3]